Partizani B shkel rregulloren, Sopoti kërkon fitoren në tavolinë.





















Partizani B fitoi 4-1 ndaj Sopotit në ndeshjen e “playoff“-it për ngjitjen në Kategorinë e Parë, por skuadra nga Librazhdi do të kërkojë që ta fitojë këtë ndeshje në mënyrë ligjore. Drejtuesit e këtij klubi kanë dërguar në zyrat e FSHF-së një ankimim për aktivizimin në mënyrë të parregullt të 2 futbollistëve të Partizanit. Në këtë ankimim të Sopotit theksohet se në radhët e Partizani B ishin edhe lojtarët Ibrahimi e Ramadani, të cilët një ditë më parë ishin aktivizuar me ekipin e parë në sfidën me Teutën, duke thyer rregulloren e Federatës Shqiptare të Futbollit. Sipas Nenit 12, pika 21 e rregullores së FSHF-së, futbollistët që nuk janë aktivizuar në ndeshjet me ekipin e parë mund të aktivizohen në skuadrën B, rregull ky që nuk është respektuar nga të kuqtë. Në të njëjtën kohë, në ankimimin e Sopotit theksohet se Partizani nuk ka respektuar as vendimin e datës 11 nëntor 2013, nr.3 të FSHF-së, për nenin 14, pika 5. Sipas këtij vendimi, ekipi “B” mund të aktivizojë në ndeshjet e kompeticionit ku merr pjesë deri në 5 lojtarë të ekipit kryesor të klubit, me kushtin që ata të mos jenë aktivizuar për ekipin e parë, së paku 3 ditë kalendarike para asaj ndeshje të ekipit “B”. Duke u bazuar në këto argumenta, Sopoti kërkon fitoren 3-0 në tavolinë nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit. /tch/

No comments:

Post a Comment