Kampionat “lagjesh”
Kampionat “lagjesh”. Kështu mund të duket në sytë e Federatës Shqiptare të Futbollit kampionati i Kategorisë së Dytë. 26 skuadra, qindra futbollistë dhe shumë qytete. Por, kjo garë nuk merret seriozisht nga institucioni që e organizon dhe menaxhon. Ka një kalendar, por nuk ka një datë fillimi të garës, ka një rregullore, por nuk zbatohet në shumë pika të saj, ashtu siç ka vendime për skemën e re dhe më pas ndryshime në 360 gradë pa njoftuar as klubet. Dhe për të vendosur qershinë mbi tortë, klubet kërkojnë që gara të mos nisë të dielën. Të gjithë duan të shohin Shqipërinë përballë Spanjës atë ditë. Kaos me një kampionat që konsiderohet si gjysëm-profesionist.
Starti
Pas rreth një ore pritje, përtej orarit të caktuar fillimisht, në ambientet e FSHF-së, zyrtarët e klubeve dhe mediat janë njohur më në fund me kalendarin e kampionatit të ri. Por, ende nuk ka një datë zyrtare për startin e tij. Fillimisht, shefi i sektorit të garave, Lysjen Nurishmi ka thënë aty për aty sa ka shumë mundësi të nisë të dielën. Por, kjo është kundërshtuar nga klubet, pasi atë ditë luhet Shqipëri-Spanjë. Nurishmi u bën të ditur se nuk ka përplasje, pasi takimet e kampionatit luhen në orën 14:30, por përfaqësuesit e klubeve reagojnë duke menduar për skuadrat që luajnë në transfertë. “Një ekipi i duhen 5-6 orë të kthehet në shtëpi dhe, në këtë mënyrë, e humbet ndeshjen e Kombëtares”, ishte argumentimi i shefit të klubit të Naftëtarit, Bajram Fraholli. Në këtë mënyrë arrihet një gjysmë-akordi dhe kampionati shtyhet. Data zyrtare e fillimit bëhet e mërkura e 12 tetorit.
Ndryshimet
Në fillim të korrikut, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, deklaroi se një prej risive të sezonit të ri do të ishte edhe ndryshimi i skemës së Kategorisë së Dytë, që do të bëhet me tri faza dhe me ndarje ekipesh në minigrupe pas dy fazave të para. Por, vetëm dje klubet janë njoftuar se edhe për këtë sezon, kampionati do të luhet me dy faza, sistem vajtje-ardhje. Përpara hedhjes së shortit, shefi i klubit të Gramshit, Edmond Hida, u shpjegonte kolegëve të tij se si do të ishte skema me tri faza. Qesharake! Një tjetër ndryshim që ka tronditur klubet e së Dytës gjatë hedhjes së shortit ditën e djeshme ishte edhe vendimi i marrë në fshehtësi nga Komiteti Ekzekutiv. Klubet nuk do të kenë mundësi të federojnë lojtarë jashtë qarkut ku përfshihet skuadra. Kjo ka sjellë reagime dhe amulli mes zyrtarëve të skuadrave. kategoria e dyte E paimagjinueshme se si lajmërimi për një ndryshim kaq të rëndësishëm bëhet vetëm disa ditë përpara startit të kampionatit, në një kohë që janë ndërtuar skuadrat dhe trajnerët kanë bërë planet. Skandaloze! Gjithashtu, vetëm dje është mësuar edhe se grupet do të përbëhen nga 13 ekipe. Në një kohë që janë shkelur të gjitha rregulloret dhe janë përfshirë skuadra që nuk u takonte. Këlcyra apo Maliqi janë futur në garë si dhurata të Federatës, në një kohë që nuk është zbatuar fare rregulli sportiv që ekipet vijnë nga Kategoria e Tretë. Shpikjet shqiptare vazhdojnë.
-Nga Besar Bozgo
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment